- Shtëpia e futbollit FIFA ka vlerësuar ngritjen e jashtëzakonshme të Kombëtares së Kosovës, duke e konfirmuar pozitën e 78-të në renditjen botërore, që përfaqëson edhe renditjen më të lartë historike të “Dardanëve”.
“Kosova vazhdon të rritet. Ata kanë regjistruar ngritjen më të madhe në historinë e renditjes së FIFA-s”, ka shkruar FIFA në një postim në Instagram.
Edhe pse Kosova nuk arriti të kualifikohet në finale pas humbjes ndaj Turqisë, FIFA ka kujtuar progresin e madh të ekipit brenda një dekade. Sipas saj, nga vendi i 190-të në korrik të vitit 2016, Kosova ka bërë një rrugëtim të jashtëzakonshëm deri në top 80-shen e futbollit botëror.
“Që nga përfshirja për herë të parë në renditjen e FIFA-s në vitin 2016, Kosova ka ndjekur një trajektore të qëndrueshme ngritjeje”, thuhet më tej në njoftim.
FIFA thekson gjithashtu se ngritja e fundit lidhet me paraqitjen në kampanjën kualifikuese, ku Kosova përfundoi e dyta në grup dhe arriti të eliminojë Sllovakinë në gjysmëfinalen e play-off-it, para se të ndalej nga Turqia në finalen vendimtare.
“Edhe pse nuk arriti kualifikimin në Kupën e Botës, Kosova arrin pozitën më të lartë në historinë e saj në renditjen botërore – vendi i 78-të”, përfundon FIFA.